Mateu. Chapter 22

1 Dhe Jezusi, nisi përsëri t'u flasë atyre me shëmbëlltyra, duke thënë:
2 Mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti, i cili përgatiti dasmën e të birit.
3 Dhe dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur të ftuarit në dasmë, por ata nuk deshën të vijnë.
4 Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: U thoni të ftuarve: Ja unë e kam shtruar drekën time, viçat e mi dhe bagëtia ime e majmur janë therur dhe gjithçka është gati; ejani në dasmë.
5 Por ata, pa e përfillur, shkuan: dikush në arën e vet e dikush në punët e veta.
6 Dhe të tjerët, mbasi kapën shërbëtorët e tij, i shanë dhe i vranë.
7 Mbreti atëhërë, kur dëgjoi këtë, u zemërua dhe dërgoi ushtritë e veta për të shfarosur ata gjaksorë dhe dogji qytetin e tyre.
8 Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë.
9 Shkoni, pra, në udhëkryqe dhe ftoni në dasmë këdo që të gjeni.
10 Dhe ata shërbëtorët dolën nëpër rrugë, mblodhën të gjithë ata që gjetën, të këqij dhe të mirë, dhe vendi i dasmës u mbush me të ftuar.
11 Atëherë mbreti hyri për të parë të ftuarit dhe gjeti aty një njeri që nuk kishte veshur rrobë dasme;
12 dhe i tha: Mik, si hyre këtu pa pasur rrobë dasme?. Dhe ai mbylli gojën.
13 Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: Lidheni duar dhe këmbë, kapeni dhe hidheni në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh.
14 Sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur.
15 Atëherë farisenjtë u veçuan dhe bënin këshill se si ta zinin gabim në fjalë.
16 Dhe i dërguan dishepujt e tyre bashkë me herodianët, për t'i thënë: Mësues, ne e dimë se ti je i vërtetë dhe që mëson udhën e Perëndisë në të vërtetë, pa marrë parasysh njeri, sepse ti nuk shikon pamjen e jashtme të njerëzve.
17 Na thuaj, pra: Si e mendon? A është e ligjshme t'i paguhet taksa Cezarit apo jo?.
18 Por Jezusi, duke e njohur ligësinë e tyre, tha: Pse më tundoni, o hipokritë?
19 Më tregoni monedhën e taksës. Atëherë ata i treguan një denar.
20 Dhe ai u tha atyre: E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?.
21 Ata i thanë: E Cezarit. Atëherë ai u tha atyre: Jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë.
22 Dhe ata, kur e dëgjuan këtë, u mrekulluan, e lanë, dhe ikën.
23 Po atë ditë erdhën tek ai saducenjtë, të cilët thonë se nuk ka ringjallje, dhe e pyetën
24 duke thënë: Mësues, Moisiu ka thënë: Në se dikush vdes pa lënë fëmijë, i vëllai le të martohet me gruan e tij, për t'i lindur trashëgimtarë vëllait të tij.
25 Tani ndër ne ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq dhe duke mos pasë trashëgimtarë, ia la gruan vëllait të vet.
26 Kështu edhe i dyti dhe i treti, deri tek i shtati.
27 Në fund vdiq edhe gruaja.
28 Në ringjallje, pra, e kujt nga këta të shtatë do të jetë grua? Sepse të gjithë e patën gruaja.
29 Por Jezusi, duke u përgjigjur u tha atyre: Ju bëni gabim, sepse nuk e kuptoni as Shkrimin as pushtetin e Perëndisë.
30 Në ringjallje, pra, as martohen as martojnë, por ata do të jenë në qiell si engjëjt e Perëndisë.
31 Pastaj sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk e keni lexuar ç'ju ishte thënë nga Perëndia kur thotë:
32 Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe i Jakobit? Perëndia nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve.
33 Dhe turmat, kur i dëgjuan këto gjëra, habiteshin nga doktrina e tij.
34 Atëherë farisenjtë, kur dëgjuan se ai ua kishte zënë gojën saducenjve, u mblodhën tok.
35 Dhe një nga ata, mësues i ligjit, e pyeti për të vënë në provë, duke thënë:
36 Mësues, cili është urdhërimi i madh i ligjit?.
37 Dhe Jezusi i tha: Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.
38 Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.
39 Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.
40 Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.
41 Tani, kur u mblodhën farisenjtë, Jezusi i pyeti:
42 Ç'u duket juve për Krishtin? Biri i kujt është?. Ata i thanë: I Davidit.
43 Ai u tha atyre: Si pra Davidi, në Frymë, e quan Zot, duke thënë:
44 Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, deri sa unë t'i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua?
45 Në qoftë se Davidi e quan Zot, si mund të jetë biri i tij?.
46 Por asnjë nuk ishte në gjendje t'i përgjigjej; dhe, që nga ajo ditë, askush nuk guxoi ta pyesë më.