Jobi. Chapter 35

1 Elihu vazhdoi të flasë dhe tha:
2 A të duket një gjë e drejtë kur thua: Jam më i drejtë se Perëndia?
3 Në fakt ke thënë: Ç'dobi ke? Çfarë dobie do të kisha nga mëkati im?.
4 Do të të përgjigjem ty dhe miqve të tu bashkë me ty.
5 Sodite qiellin dhe shiko me kujdes; shih retë, që ndodhen më lart se ti.
6 Në qoftë se ti mëkaton, çfarë efekti ka mbi të? Në qoftë se ti i shumëzon prapësitë e tua çfarë dëmi i shkakton?
7 Në rast se je i drejtë, çfarë i jep, ose çfarë merr ai nga dora jote?
8 Ligësia jote mund të dëmtojë vetëm një njeri si ti, dhe drejtësia jote mundet t'i sjellë vetëm dobi birit të një njeriu.
9 Ngrihet zëri për numrin e madh të shtypjeve, ngrihet zëri për të kërkuar ndihmë për shkak të dhunës së të fuqishmëve;
10 por asnjeri nuk thotë: Ku është Perëndia, krijuesi im, që natën të jep këngë gëzimi,
11 që na mëson më tepër gjëra se sa kafshëve të fushave dhe na bën më të urtë se zogjtë e qiellit?
12 Kështu ngrihen zëra, por ai nuk përgjigjet për shkak të krenarisë së njerëzve të këqij.
13 Me siguri Perëndia nuk ka për t'i dëgjuar ligjëratat boshe dhe i Plotfuqishmi nuk do t'jua vërë veshin.
14 Edhe sikur ti të thuash se nuk e shikon atë, çështja jote qëndron para tij, dhe ti duhet të presësh.
15 Por tani, duke qenë se në zemërimin e tij ai nuk dënon dhe nuk u jep shumë rëndësi shkeljeve,
16 Jobi hap kot buzët dhe mbledh fjalë që nuk kanë arsye.