Ii I Samuelit. Chapter 9

1 Davidi tha: A ka mbetur akoma ndonjë nga shtëpia e Saulit, ndaj të cilit mund të sillem mirë për hir të Jonathanit?.
2 Kishte një shërbëtor në shtëpinë e Saulit, që quhej Tsiba, dhe atë e çuan te Davidi. Mbreti i tha: Ti je Tsiba?. Ai u përgjigj: Jam shërbëtori yt.
3 Pastaj mbreti pyeti: A ka njeri tjetër të shtëpisë së Saulit, të cilit mund t'i kushtoj mirësinë e Perëndisë?. Tsiba iu përgjigj mbretit: Éshtë akoma një djalë i Jonatanit, që është sakat nga këmbët.
4 Mbreti i tha: Ku është?. Tsiba iu përgjigj mbretit: Éshtë në shtëpinë e Makirit, birit të Amielit, në Lodebar.
5 Atëherë mbreti David dërgoi ta marrë nga shtëpia e Makirit, birit të Amielit, në Lodebar.
6 Kështu Mefiboshethi, bir i Jonatanit, bir i Saulit erdhi te Davidi, ra përmbys me fytyrën për tokë. Davidi i tha: Mefibosheth!. Ai u përgjigj: ja shërbëtori yt!.
7 Davidi i tha: Mos ki frikë, sepse kam ndër mend të sillem mirë me ty për dashurinë që kisha për Jonatanin, atin tënd; do të të kthej tërë tokat e Saulit, të parit tënd, dhe ti do të hash gjithnjë në tryezën time.
8 Mefiboshethi ra përmbys dhe tha: Ç'është shërbëtori yt, që ti të përfillësh një qen të ngordhur si unë?.
9 Atëherë mbreti thirri Tsiban, shërbëtorin e Saulit, dhe i tha: Tërë ato që i përkisnin Saulit dhe tërë shtëpisë së tij, po ia jap birit të zotërisë tënd.
10 Kështu, pra, bashkë me bijtë dhe shërbëtorët e tu, do të punosh tokën për të dhe do të mbledhësh prodhimet e saj, me qëllim që i biri i zotërisë tënd të ketë bukë për të ngrënë; por Mefiboshethi, bir i zotërisë tënd do të hajë gjithnjë në tryezën time. Tsiba kishte pesëmbëdhjetë bij dhe njëzet shërbëtorë.
11 Tsiba i tha mbretit: Shërbëtori yt do të bëjë të gjitha ato që mbreti, zotëria im, i urdhëron shërbëtorit të tij. Kështu Mefiboshethi hante në tryezën e Davidit si një nga bijtë e mbretit.
12 Mefiboshethi kishte një djalë të vogël që quhej Mika; dhe tërë ata që rrinin në shtëpinë e Tsibas ishin shërbëtorë të Mefiboshethit.
13 Mefiboshethi banonte në Jeruzalem, sepse hante gjithnjë në tryezën e mbretit. Ishte sakat nga të dy këmbët.