Psalmet. Chapter 19

1 Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.
2 Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës.
3 Nuk kanë gojë, as fjalë; zëri i tyre nuk dëgjohet;
4 por harmonia e tyre përhapet mbi gjithë dheun dhe mesazhi i tyre arrin deri në skajin e botës; në qiejtë Perëndia ka vënë një çadër për diellin;
5 dhe ai është si një dhëndër që del nga dhoma e tij e martesës; ngazëllon si një trim që përshkon rrugën e tij.
6 Ai del nga një skaj i qiejve dhe rrotullimi e tij arrin deri në skajin tjetër; asgjë nuk mund t'i fshihet nxehtësisë së tij.
7 Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë.
8 Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë te pastra dhe ndriçojnë sytë.
9 Frika e Zotit është e pastër, mbetet përjetë; gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta;
10 janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ari i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet.
11 Edhe shërbëtori yt mëson prej tyre; ke një shpërblim të madh duke i parë.
12 Kush i njeh gabimet e tij? Pastromë nga ato që nuk i shoh.
13 Përveç kësaj ruaje shërbëtorin tënd nga mëkatet e vullnetit, dhe bëj që ato të mos më sundojnë mua; atëherë unë do të jem i ndershëm dhe i pastër nga shkelje të mëdha.
14 U miratofshin para teje fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime, o Zot, kështjella ime dhe shpëtimtari im.
1 O Perëndi i lëvdimit tim, mos hesht,
2 sepse njerëz të pabesë dhe të pandershëm kanë hapur gojën e tyre kundër meje dhe kanë folur kundër meje me një gjuhë gënjeshtare;
3 më kanë sulmuar me fjalë urrejtjeje dhe më kanë luftuar pa shkak.
4 Në këmbim të dashurisë sime më akuzojnë, por unë i drejtohem lutjes.
5 Ata më kanë larë të mirën me të keqen dhe dashurinë time me urrejtje.
6 Vendos një njeri të keq mbi të dhe një akuzues le të jetë në të djathtë të tij.
7 Kur të gjykohet, bëj që të gjendet fajtor dhe lutja e tij të bëhet mëkat.
8 Qofshin të pakta ditët e tij dhe një tjetër zëntë vendin e tij.
9 Bijtë e tij mbetshin jetimë dhe gruaja e tij e ve.
10 U bëfshin endacakë dhe lypsarë bijtë e tij dhe e kërkofshin ushqimin larg shtëpive të tyre të rrënuara.
11 Fajdexhiu i marrtë të gjitha pasuritë e tij dhe të huajtë i vjedhshin frytin e mundit të tij.
12 Askush mos pastë mëshirë për të dhe askujt mos i ardhtë keq për jetimët e tij.
13 U shkatërrofshin pasardhësit e tij; në brezin e dytë emri i tyre u shoftë.
14 U kujtoftë para Zotit paudhësia e etërve të tij dhe mëkati i nënës së tij mos u shoftë.
15 U dalshin gjithnjë mëkatet e tyre para Zotit, me qëllim që ai të zhdukë nga toka kujtimin e tyre.
16 Sepse atij nuk i shkoi ndër mend të kishte dhemshuri, por e ka përndjekur të varfërin, nevojtarin dhe atë që ishte zemërthyer deri sa t'u shkaktonte vdekjen.
17 Mbasi e ka dashur mallkimin, rëntë ai mbi të; dhe mbasi nuk është kënaqur me bekimin, ky u largoftë prej tij.
18 Mbasi u mbulua me mallkim si me një rrobe, i hyftë ai si ujë në trupin e tij dhe si vaj në kockat e tij;
19 Qoftë për të si një rrobe që e mbulon dhe si një brez që e lidh përjetë.
20 Qoftë ky nga ana e Zotit shpërblimi për kundërshtarët e mi dhe për ata që flasin keq kundër meje.
21 Por ti, o Zot, o Zot, vepro në favorin tim për hir të emrit tënd, çliromë me dhemshurinë dhe mirësinë tënde,
22 sepse unë jam i varfër dhe nevojtar, dhe zemra ime është plagosur brenda meje.
23 Unë iki si një hije që zgjatet, jam i tronditur si një karkalec.
24 Gjunjët e mi dridhen nga të pangrënët dhe trupi im është dobësuar për mungesë të dhjamit.
25 Jam bërë një faqezi për ta; kur më shohin, tundin kokën.
26 Ndihmomë, o Zot, Perëndia im, shpëtomë për dhemshurinë tënde,
27 dhe ta dinë që kjo është vepër e duarve të tua, dhe që ti, o Zot, e ke bërë.
28 Ata do të mallkojnë, por ti do të bekosh; kur të ngrihen, do të mbeten të hutuar, por shërbëtori yt do të gëzohet.
29 U mbulofshin me turp kundërshtarët e mi dhe u mbështjellshin me turp si me mantel,
30 Unë do të kremtoj me të madhe Zotin me gojën time dhe do ta lëvdoj në mes të një turme të madhe,
31 sepse ai rri në të djathtë të të varfërit për ta shpëtuar nga ata që e dënojnë me vdekje.