I I Samuelit. Chapter 28

1 Ato ditë Filistejtë mblodhën ushtrinë e tyre për të luftuar Izraelin. Atëherë Akishi i tha Davidit: Dije mirë që duhet të dalësh të luftosh bashkë me mua, ti dhe njerëzit e tu.
2 Davidi iu përgjegj Akishit: Ti me siguri ke për të parë atë që do të bëjë shërbëtori yt. Atëherë Akishi i tha Davidit: Mirë, pra, unë do të të bëhem roje personale për gjithnjë.
3 Samueli kishte vdekur dhe gjithë Izraeli e kishte qarë, e kishin varrosur në Ramah, në qytetin e tij. Dhe Sauli kishte përzënë nga vendi mediumet dhe shortarët.
4 Kështu Filistejtë u mblodhën dhe erdhën të fushojnë në Shunem, ndërsa Sauli mblodhi tërë Izraelin dhe fushoi në Gilboa.
5 Kur Sauli pa ushtrinë e Filistejve pati frikë dhe zemra e tij u drodh fortë.
6 Kështu Sauli i kërkoi këshillë Zotit dhe Zoti nuk iu përgjegj as me anë të ëndrrave, as nëpërmjet Urimit dhe as me anë të profetëve.
7 Atëherë Sauli u tha shërbëtorëve të tij: Më gjeni një grua që të jetë mediume, me qëllim që unë të mund të shkoj tek ajo për t'u këshilluar. Shërbëtorët e tij i thanë: Ja, në En-Dor ka një grua që është mediume.
8 Kështu Sauli u vesh ndryshe për të mos u njohur dhe u nis me dy burra. Arritën tek ajo grua natën dhe Sauli i tha: Bëj një shortari për mua, të lutem, me një seancë spiritizmi dhe më thirr atë që do të të them.
9 Gruaja iu përgjegj: Ja, ti e di ç'ka bërë Sauli; ai i ka shfarosur nga vendi mediumet dhe shortarët. Pse i ngre një grackë jetës sime, për të shkaktuar vdekjen time?.
10 Atëherë Sauli iu betua në emër të Zotit, duke thënë: Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, asnjë ndëshkim nuk do të kesh për këtë!.
11 Gruaja i tha: Cilin duhet të të nxjerr?. Ai i tha: Më nxirr Samuelin.
12 Kur pa Samuelin, gruaja bërtiti me zë të lartë; dhe gruaja i tha Saulit: Pse më mashtrove? Ti je Sauli!.
13 Mbreti iu përgjegj: Mos ki frikë; çfarë shikon?. Gruaja i tha Saulit: Shoh një qenie mbinjerëzore që ngrihet nga toka.
14 Ai e pyeti: Ç'formë ka?. Ajo u përgjegj: Éshtë një plak që po ngjitet dhe është mbështjellë me një mantel. Atëherë Sauli kuptoi se ishte Samueli, u përul me fytyrën për tokë dhe ra përmbys.
15 Samueli i tha Saulit: Pse më shqetësove duke bërë që të dal?. Sauli iu përgjegj: Ndodhem në një ankth të madh, sepse Filistejtë më luftojnë dhe Perëndia është larguar nga unë, dhe nuk më përgjigjet
16 Samueli i tha: Pse këshillohesh me mua, në qoftë se Zoti është larguar nga ti dhe është bërë armiku yt?
17 Zoti veproi ashtu siç kishte thënë nëpërmjet meje. Zoti e shkëputi mbretërinë nga duart e tua dhe ia dha një tjetri, Davidit,
18 sepse nuk iu binde zërit të Zotit dhe nuk zbatove në jetë zemërimin e thellë të tij kundër Amalekut; për këtë arsye Zoti të bëri sot këtë gjë.
19 Zoti do ta japë edhe Izraelin bashkë me ty në duart e Filistejve; nesër ti dhe bijtë e tu do të jeni me mua. Zoti do të japë gjithashtu ushtrinë e Izraelit në duart e Filistejve.
20 Atëherë Sauli ra menjëherë për së gjati për tokë, sepse ishte trembur shumë nga fjalët e Samuelit; ai kishte qenë edhe më parë pa fuqi, sepse nuk kishte ngrënë tërë atë ditë dhe tërë atë natë.
21 Gruaja iu afrua Saulit dhe duke e parë të tmerruar fare, i tha: Ja, shërbëtorja jote iu bind zërit tënd; unë vura në rrezik jetën time për t'iu bindur fjalëve që më the.
22 Prandaj dëgjo edhe ti zërin e shërbëtores sate dhe lermë të vë para teje një copë buke; ha, sepse kështu do të marrësh fuqi për ta rifilluar rrugën.
23 Por ai refuzoi dhe tha: Nuk do të ha. Por shërbëtorët e tij bashkë me gruan ngulën këmbë dhe ai i dëgjoi; kështu u ngrit nga toka dhe u ul në shtrat.
24 Gruaja kishte në shtëpi një viç të majmë; e theri shpejt e shpejt, pastaj mori miellin, gatoi brumin dhe përgatiti disa bukë pa maja.
25 I vuri këto ushqime Saulit dhe shërbëtorëve të tij, dhe ata i hëngrën; pastaj u ngritën dhe u nisën po atë natë.