Malakia. Chapter 1

1 Orakulli i fjalës të Zotit iu drejtua Izraelit me anë të Malakias.
2 Unë ju kam dashur, thotë Zoti. Por ju thoni: Si na ke dashur?. Vallë Ezau nuk ishte vëllai i Jakobit?, thotë Zoti. Megjithëatë unë e kam dashur Jakobin
3 dhe e kam urryer Ezaun; malet e tij i kam kthyer në shkreti dhe trashëgiminë e tij ua kam dhënë çakejve të shkretëtirës.
4 Edhe sikur Edomi të thotë: Ne u shkatërruam, por do të rifillojmë ndërtimin e vendeve të shkretuara, kështu thotë Zoti i ushtrive, ata do të rindërtojnë, por unë do të shemb; dhe do të emërtohen Territori i paudhësisë dhe populli kundër të cilit Zoti do të jetë përjetë i indinjuar.
5 Sytë tuaj do të shikojnë dhe ju do të thoni: Zoti u përlëvdua përtej kufijve të Izraelit.
6 Një bir nderon të atin dhe një shërbëtor zotin e tij. Në se unë, pra, jam ati, ku është nderi im? Dhe në se jam zot, ku ma kanë frikën?, iu thotë Zoti i ushtrive juve, priftërinjve, që përbuzni
7 Ju ofroni mbi altarin tim ushqime të ndotura, dhe megjithatë thoni: Në ç'mënyrë të kemi ndotur?. Kur thoni: Tryeza e Zotit është e përbuzshme.
8 Kur ofroni për flijim një kafshë të verbër, a nuk është keq? Kur ofroni një kafshë të çalë ose të sëmurë, nuk është keq? Paraqite, pra, te qeveritari yt. A do të jetë i kënaqur prej teje? Do të të pranojë me kënaqësi?, thotë Zoti i ushtrive.
9 Tani, pra, kërkoni favorin e Perëndisë, që ai të ketë mëshirë për ne. Duart tuaja e kanë bërë këtë, a do t'ju pranojë vallë me kënaqësi?, thotë Zoti i ushtrive.
10 Oh, sikur të paktën dikush prej jush t'i mbyllte dyert! Atëherë nuk do ta ndiznit zjarrin kot mbi altarin tim. Unë nuk kam asnjë kënaqësi me ju, thotë Zoti i ushtrive, dhe as që pëlqej çfarëdo oferte nga duart tuaja.
11 Sepse, që nga lind dielli e deri atje ku perëndon, emri im do të jetë i madh midis kombeve dhe në çdo vend do t'i ofrohet temjan emrit tim dhe një blatim i pastër, sepse emri im do të jetë i madh midis kombeve, thotë Zoti i ushtrive.
12 Por ju e përdhosni kur thoni: Tryeza e Zotit është e ndotur dhe fryti i saj, domethënë ushqimi i saj, është i përbuzshëm.
13 Ju thoni gjithashtu: Ah, sa u lodhëm!, dhe e trajtoni me përçmim, thotë Zoti i ushtrive. Kështu ju sillni kafshë të vjedhura, të çala ose të sëmura; kjo është oferta që sillni. A do të mund ta pranoja nga duart tuaja?, thotë Zoti.
14 Mallkuar qoftë hileqari që ka një mashkull në kopenë e tij dhe bënë një premtim solemn, por flijon për Zotin një kafshë me të meta. Sepse unë jam një Mbret i madh, thotë Zoti i ushtrive, dhe emri im është i tmerrshëm midis kombeve.