Isaia. Chapter 62

1 Për hir të Sionit unë nuk do të hesht dhe për hir të Jeruzalemit nuk do të gjej prehje deri sa drejtësia e saj të mos dalë si agimi dhe shpëtimi i saj si një pishtar flakërues.
2 Atëherë kombet do të shohin drejtësinë tënde dhe tërë mbretërit lavdinë tënde; do të thirresh me një emër të ri, që do ta tregojë goja e Zotit.
3 Do të jesh një kurorë e shkëlqyer në dorën e Zotit, një diademë mbretërore në dorë të Perëndisë tënd.
4 Nuk do të quhesh më E braktisur, as toka jote nuk do të quhet më E shkretë, por do të të quajnë Kënaqësia ime është tek ajo dhe toka jote E Martuar, sepse Zoti gjen kënaqësi te ti, dhe toka jote do të ketë një dhëndër.
5 Prandaj, ashtu si një i ri martohet me një të virgjër, bijtë e tu do të martohen me ty; dhe ashtu si i martuari gëzohet me nusen, kështu Perëndia do të gëzohet për ty.
6 Mbi muret e tua, o Jeruzalem, kam vënë roje që nuk do të heshtin kurrë, as ditën as natën. Ju që i kujtoni Zotit premtimet e tij, mos rrini në heshtje,
7 dhe mos e lini të pushojë, deri sa ta ketë rivendosur Jeruzalemin dhe ta bëjë atë lëvdimin e të gjithë tokës.
8 Zoti është betuar për krahun e tij të djathtë dhe për krahun e tij të fuqishëm: Nuk do t'u jap më grurin tënd si ushqim armiqve të tu dhe bijtë e të huajit nuk do të pinë më mushtin tënd për të cilin je munduar.
9 Por ata që do ta kenë mbledhur grurin do të hanë dhe do të lëvdojnë Zotin, dhe ata që do të kenë vjelur, do të pinë mushtin në oborret e shenjtërores sime.
10 Kaloni, kaloni nëpër porta! Përgatitni rrugën për popullin! Shtroni, shtroni udhën, hiqni gurët, ngrini një flamur para popujve!
11 Ja, Zoti shpalli deri në skajin e tokës: I thoni bijës së Sionit: Ja, shpëtimi yt po vjen; ja, ka me vete shpërblimin e saj dhe shpërblimi i saj e pararend.
12 Do t'i quajnë Populli i shenjtë, Të çliruarit e Zotit, dhe ti do të quhesh E kërkuara, Qyteti i pabraktisur.