Zanafilla. Chapter 3

1 Por gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha bishat e fushave që Zoti Perëndi kishte krijuar, dhe i tha gruas: A ka thënë me të vërtetë Perëndia: Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?.
2 Dhe gruaja iu përgjegj gjarprit: Nga fruti i pemëve të kopshtit mund të hamë;
3 por nga fruti i pemës që është në mes të kopshtit Perëndia ka thënë: Mos hani dhe mos e prekni, ndryshe do të vdisni.
4 Atëherë gjarpri i tha gruas: Ju s'keni për të vdekur aspak;
5 por Perëndia e di që ditën që do t'i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen.
6 Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për t'u ngrënë, që ishte e këndshme për sytë dhe që pema ishte i dëshirueshme për ta bërë të zgjuar dikë; dhe ajo mori nga fruti i saj, e hëngri dhe i dha edhe burrit të saj që ishte me të, dhe hëngri edhe ai.
7 Atëherë iu hapën sytë të dyve dhe e panë që ishin lakuriq; kështu ata qepën gjethe fiku dhe bënë breza për t'u mbuluar.
8 Pastaj dëgjuan zërin e Zotit Perëndi që shëtiste në kopsht në flladin e ditës; dhe burri e gruaja e tij u fshehën nga prania e Zotit Perëndi midis pemëve të kopshtit.
9 Atëherë Zoti Perëndi thirri njeriun dhe i tha: Ku je?.
10 Ai u përgjigj: Dëgjova zërin tënd në kopsht, dhe pata frikë sepse isha lakuriq dhe u fsheha.
11 Dhe Perëndia i tha: Kush të tregoi se ishe lakuriq? Mos vallë ke ngrënë nga pema që unë të kisha urdhëruar të mos haje?.
12 Njeriu u përgjigj: Gruaja që ti më vure pranë më dha nga pema dhe unë e hëngra.
13 Dhe Zoti Perëndi i tha gruas: Pse e bëre këtë?. Gruaja u përgjigj: Gjarpri më mashtroi dhe unë hëngra prej saj.
14 Atëherë Zoti Perëndi i tha gjarprit: Me qenë se bëre këtë gjë, qofsh i mallkuar ndër gjithë kafshët dhe tërë bishat e fushave! Ti do të ecësh mbi barkun tënd dhe do të hash pluhur gjithë ditët e jetës sate.
15 Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj.
16 Gruas i tha: Unë do të shumëzoj në masë të madhe vuajtjet e tua dhe barrët e tua; me vuajtje do të lindësh fëmijë; dëshirat e tua do të drejtohen ndaj burrit tënd dhe ai do të sundojë mbi ty.
17 Pastaj i tha Adamit: Me qenë se dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga pema për të cilën të kisha urdhëruar duke thënë: Mos ha prej saj, toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd, ti do të
18 Ajo do të prodhojë gjemba dhe bimë gjembore, dhe ti do të hash barin e fushave;
19 do të hash bukën me djersën e ballit, deri sa të rikthehesh në dhe sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh.
20 Dhe burri i vuri gruas së tij emrin Evë, sepse ajo qe nëna e tërë të gjallëve.
21 Pastaj Zoti Perëndi i bëri Adamit dhe gruas së tij tunika prej lëkure dhe i veshi.
22 Dhe Zoti Perëndi tha: Ja, njeriu u bë si një prej nesh, sepse njeh të mirën dhe të keqen. Dhe tani nuk duhet t'i lejohet të shtrijë dorën e tij për të marrë edhe nga pema e jetës kështu që, duke ngrënë nga ajo, të jetojë për gjithnjë.
23 Prandaj Zoti Perëndi e dëboi njeriun nga kopshti i Edenit, me qëllim, që të punonte tokën nga e cila kishte dalë.
24 Kështu ai e dëboi njeriun; dhe vendosi në lindje të kopshtit të Edenit kerubinët që vërtisnin nga çdo anë një shpatë flakëruese për të ruajtur rrugën e pemës së jetës.