Amosi. Chapter 7

1 Ja ç'më bëri të shoh Zoti, Zoti: ai formonte karkaleca kur fillonte të rritej bari i dytë; dhe ja, bari i dytë vinte mbas korrjes së mbretit.
2 Kur ato mbaruan së ngrëni barin e tokës, unë thashë: Zot, Zot, oh, na fal, pra. Si mund të rezistojë Jakobi, duke qenë se është i vogël?.
3 Zoti u pendua për këtë: Kjo nuk ka për të ndodhur, tha Zoti.
4 Ja ç'më bëri të shoh Zoti, Zoti: Zoti, Zoti shpalli se do mbronte çështjen e tij me zjarr; dhe zjarri gllabëroi humnerën e madhe dhe gllabëroi një pjesë të vendit.
5 Atëherë unë i thashë: Zoti, Zoti, oh, jepi fund, pra. Si mund të rezistojë Jakobi, duke qenë se është i vogël?.
6 Zoti u pendua për këtë: As kjo nuk ka për të ndodhur, tha Zoti, Zoti.
7 Ja ç'më bëri të shoh: Zoti rrinte drejt mbi një mur të ndërtuar me plumbçe dhe me një plumbçe në dorë.
8 Zoti më tha: Amos, çfarë shikon?. Unë iu përgjigja: Një plumbçe. Atëherë Zoti tha: Ja, unë po vendos një plumbçe në mes të popullit tim të Izraelit; nuk do ta fal më gjatë.
9 Vendet e larta të Isakut do të prishen dhe shenjtëroret e Izraelit do të shkatërrohen; unë do të ngrihem me shpatë kundër shtëpisë së Jeroboamit.
10 Atëherë Amatsiahu, prifti i Bethelit, i çoi fjalë Jeroboamit, mbretit të Izraelit: Amosi komploton kundër teje në mes të shtëpisë së Izraelit; vendi nuk është në gjendje të durojë tërë fjalët e tij.
11 Në fakt Amosi ka thënë kështu: Jeroboami do të vdesë nga shpata dhe Izraeli do të internohet me siguri larg vendit të tij.
12 Amatsiahu i tha Amosit: Shikues, shko, ik në vendin e Judës; atje ke për të ngrënë bukë dhe atje do të profetizosh;
13 por mos profetizo më në Bethel, sepse është shenjtërorja e mbretit dhe selia mbretërore.
14 Atëherë Amosi u përgjigj dhe i tha Amatsiahut: Unë nuk isha profet as bir profeti, por isha bari dhe rrisja fiq egjipti.
15 Zoti më mori pas kopesë dhe Zoti më tha: Shko, profetizoi popullit tim të Izraelit.
16 Prandaj tani dëgjo fjalën e Zotit: Ti po thua: Mos profetizo kundër Izraelit dhe mos fol më kundër shtëpisë së Isakut.
17 Prandaj kështu flet Zoti: Gruaja jote do të kurvërohet në qytet, bijtë dhe bijat e tu do të vriten nga shpata dhe vendi yt do të ndahet me litar; ti do të vdesësh në tokë të papastër dhe Izraeli patjetër do të internohet larg vendit të tij.