Zakaria

1 Në muajin e tetë të vitit të dytë të Darit, fjala e Zotit iu drejtua Zakarias, birit të Berekiahut, bir i Idos, profet, duke thënë:
2 Zoti ishte zemëruar shumë me etërit tuaj.
3 Prandaj u thuaj: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Kthehuni tek unë, thotë Zoti i ushtrive, dhe unë do të kthehem te ju, thotë Zoti i ushtrive.
4 Mos u bëni si etërit tuaj, të cilëve profetët e së kualuarës u kanë shpallur, duke thënë: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Konvertohuni nga rrugët tuaja të këqija dhe nga veprat tuaja të këqija. Por ata nuk dëgjuan dhe nuk më kushtuan vemendje, thotë Zoti.
5 Etërit tuaj ku janë? Po profetët a rrojnë vallë përjetë?
6 Vallë fjalët e mia dhe statutet e mia që ua kisha besuar shërbëtorëve të mi, profetëve, nuk arritën te etërit tuaj? Kështu ata u konvertuan dhe thanë: Ashtu si kishte vendosur të vepronte me ne Zoti i ushtrive, në bazë të rrugëve tona dhe të veprave tona, kështu veproi me ne.
7 Më njëzet e katër të muajit të njëmbëdhjetë, që është muaji i Shebatit, në vitin e dytë të Darit, fjala e Zotit iu drejtua Zakarias, birit të Berekiahut, bir i Idos, profet, duke thënë:
8 Natën pata një vegim; dhe ja, një burrë, që i kishte hipur një kali të kuq, rrinte midis shkurreve të mërsinave në një gropë të thellë dhe prapa tij kishte kuaj të kuq, të kuqërremë dhe të bardhë.
9 Unë pyeta: Imzot, çfarë kuptimi kanë këto gjëra?. Engjëlli që fliste me mua m'u përgjigj: Unë do të të bëj të shohësh çfarë kuptimi kanë ato.
10 Atëherë burri që rrinte midis shkurreve të mërsinave nisi të thotë: Këta janë ata që i ka dërguar Zoti për të përshkuar dheun.
11 Kështu iu përgjigjën ata engjëllit të Zotit i cili rrinte midis shkurreve të mërsinave: Kemi përshkuar dheun dhe ja, gjithë dheu është në pushim dhe i qetë.
12 Atëherë engjëlli i Zotit nisi të thotë: O Zoti i ushtrive, deri kur do të vazhdosh të mos kesh mëshirë për Jeruzalemin dhe për qytetet e Judës kundër të cilave ke qënë i zemëruar gjatë këtyre shtatëdhjetë vjetëve?.
13 Pastaj Zoti i tha disa fjalë të mira, fjalë inkurajimi, engjëllit që fliste me mua.
14 Kështu engjëlli që fliste me mua më tha: Bërtit dhe thuaj: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë jam shumë xheloz për Jeruzalemin dhe për Sionin;
15 por jam zemëruar shumë me kombet që jetojnë në mirëqenie, sepse, kur isha zemëruar pak, ata luajtën rol për ta shtuar të keqen.
16 Prandaj kështu thotë Zoti: Unë po i drejtohem përsëri Jeruzalemit me mëshirë; tempulli im do të rindërtohet aty, thotë Zoti i ushtrive, dhe litari do të nderet mbi Jeruzalem.
17 Bërtit akoma dhe thuaj: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Qytetet e mia do të jenë plot e përplot me pasuri; Zoti do të ngushëllojë akoma Sionin dhe do të zgjedhë akoma Jeruzalemin.
18 Pastaj i çova sytë, shikova dhe ja, katër brirë.
19 Unë e pyeta engjëllin që fliste me mua: Çfarë janë këta?. Ai m'u përgjigj: Këta janë brirët që kanë shpërndarë Judën, Izraelin dhe Jeruzalemin.
20 Pastaj Zoti më bëri të shoh katër kovaçë.
21 Unë pyeta: Pse kanë ardhur këta, çfarë do të bëjnë?. Ai u përgjigj dhe tha: Këta janë brirët që kanë shpërndarë Judën, kështu që askush nuk mund të çonte kokën lart, por këta kovaçë vijnë për t'i trembur, për të rrëzuar brirët e kombeve që e kanë ngritur bririn e tyre kundër vendit të Judës për ta shpërndarë.