Ii I Kronikave. Chapter 18

1 Jozafati pati pasuri të mëdha dhe lavdi; ai bëri krushqi me Ashabin.
2 Mbas disa vjetësh ai zbriti në Samari tek Ashabi. Atëherë Ashabi theri për të dhe për njerëzit që ishin me të një numër të madh delesh dhe lopësh dhe e bindi të dilte bashkë me të kundër Ramothit nga Galaadi.
3 Kështu Ashabi, mbret i Izraelit, i tha Jozafatit, mbretit të Judës: A do të vish me mua kundër Ramothit nga Galaadi?. Jozafati iu përgjigj: Ki besim tek unë si te vetja jote, te njerëzit e mi si te njerëzit e tu; do të vijmë në luftë bashkë me ty.
4 Pastaj Jozafati i tha mbretit të Izraelit: Të lutem, konsulto po sot fjalën e Zotit.
5 Atëherë mbreti i Izraelit thirri profetët, katërqind veta, dhe u tha atyre: A duhet të shkojmë të luftojmë kundër Ramothit nga Galaadi, apo duhet të heq dorë nga ky veprim?. Ata iu përgjigjën: Shko, pra, sepse Perëndia do ta japë atë në duart e mbretit.
6 Por Jozafati tha: Nuk ka këtu ndonjë profet tjetër të Zotit me të cilin mund të këshillohemi?.
7 Mbreti i Izraelit iu përgjigj Jozafatit: Éshtë edhe një njeri, Mikajahu, bir i Imlas, me anë të të cilit mund të këshillohemi me Zotin; por unë e urrej, sepse nuk profetizon kurrë ndonjë gjë të mirë për mua, por vetëm të keqen. Jozafati tha: Mbreti të mos flasë kështu.
8 Atëherë mbreti i Izraelit thirri një eunuk dhe i tha: Sille shpejt Mikajahun, birin e Imlas.
9 Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbret i Judës, ishin ulur secili në fronin e vet, të veshur me rrobat e tyre mbretërore; ishin ulur në lëmin që është te hyrja e portës së Samarisë; dhe tërë profetët bënin profeci përpara tyre.
10 Sedekia, bir i Kenaanahut, që kishte bërë brirë prej hekuri, tha: Kështu thotë Zoti: Me këta brirë do të shposh tejpërtej Sirët deri sa t'i shkatërrosh plotësisht.
11 Tërë profetët profetizuan në të njëjtën mënyrë, duke thënë: Dil kundër Ramothit nga Galaadi dhe do t'ia dalësh, sepse Zoti do ta japë atë në duart e mbretit.
12 Lajmëtari, që kishte shkuar të thërriste Mikajahun, i foli duke i thënë: Ja, fjalët e profetëve përputhen duke thënë gjëra të mira për mbretin. Prandaj të lutem që fjala jote të jetë si fjala e secilit prej tyre; edhe ti thuaj gjëra të mira.
13 Por Mikajahu u përgjigj: Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, çdo gjë që Perëndia im do të thotë unë do ta shpall.
14 Si arriti para mbretit, mbreti i tha: Mikajah, a duhet të shkojmë të luftojmë kundër Ramothit të Galaadit, apo duhet të heq dorë?. Ai u përgjigj: Shkoni, pra, dhe do t'ju dalë mbarë, sepse ata do të jepen në duart tuaja.
15 Atëherë mbreti i tha: Sa herë duhet të përgjërohem që të më thuash vetëm të vërtetën në emër të Zotit?.
16 Mikajahu u përgjigj: E pashë tërë Izraelin të shpërndarë në malet, ashtu si dhentë që janë pa bari; dhe Zoti tha: Ata nuk kanë më zot; le të kthehet secili në paqe në shtëpinë e vet.
17 Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: A nuk të kisha thënë se lidhur me mua ai nuk do të profetizonte asgjë të mirë, por vetëm të keqen?.
18 Atëherë Mikajahu i tha: Prandaj dëgjo fjalën e Zotit. Unë e kam parë Zotin të ulur mbi fronin e tij, ndërsa tërë ushtria qiellore rrinte në të djathtë dhe në të majtë të tij.
19 Zoti tha: Kush do ta mashtrojë Ashabin, mbretin e Izraelit, që ai të dalë dhe të vdesë në Ramoth të Galaadit?. Dikush u përgjigj në një mënyrë, dikush në mënyrë tjetër.
20 Atëherë doli përpara një frymë që u paraqit para Zotit dhe tha: Unë do t'ia mbush mendjen. Zoti i tha: Në çfarë mënyre?.
21 Ai u përgjigj: Unë do të dal dhe do të jem një frymë i gënjeshtrës në gojën e të gjithë profetëve të tij. Zoti i tha: Me siguri do t'arrish ta bësh për vete, shko dhe vepro kështu.
22 Prandaj ja, Zoti ka vënë një frymë gënjeshtre në gojën e këtyre profetëve të tu, por Zoti shpall fatkeqësi kundër teje.
23 Atëherë Sedekia, bir i Kenaanahut, u afrua dhe goditi me një shpullë Mikajahun, dhe tha: Nga kaloi Fryma e Zotit kur doli nga unë që të flasë me ty?.
24 Mikajahu u përgjigj: Ja, do ta shohësh ditën në të cilën do të shkosh në një dhomë të brendshme për t'u fshehur!.
25 Atëherë mbreti i Izraelit tha: Merreni Mikajahun dhe çojeni tek Amoni, qeveritar i qytetit, dhe tek Joasi, bir i mbretit,
26 dhe u thoni atyre: Kështu thotë mbreti: Futeni këtë në burg dhe ushqejeni me bukë dhe me ujë hidhërimi, deri sa unë të kthehem shëndoshë e mirë.
27 Mikajahu tha: Në rast se ti kthehesh me të vërtetë shëndoshë e mirë, kjo do të thotë që Zoti nuk ka folur nëpërmjet meje. Dhe shtoi: Dëgjoni, o ju popuj të gjithë!.
28 Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbret i Judës, dolën, pra, kundër Ramothit nga Galaadi.
29 Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: Unë do të vishem ndryshe dhe pastaj do të shkoj të luftoj, por ti vish rrobat e tua mbretërore. Kështu mbreti i Izraelit ndërroi rrobat dhe shkuan të luftojnë.
30 Mbreti i Sirisë kishte dhënë këtë urdhër kapitenëve të qerreve të tij duke thënë: Mos luftoni kundër askujt, të madh apo të vogël, por vetëm kundër mbretit të Izraelit.
31 Kështu, kur kapitenët e qerreve panë Jozafatin, ata thanë: Ai është mbreti i Izraelit. Pastaj e rrethuan për ta sulmuar; por Jozafati lëshoi një britmë dhe Zoti i vajti në ndihmë; Perëndia i shtyu të largoheshin prej tij.
32 Kur kapitenët e qerreve e kuptuan se nuk ishte mbreti i Izraelit, hoqën dorë nga ndjekja.
33 Por një njeri hodhi rastësisht një shigjetë me harkun e tij dhe e goditi mbretin e Izraelit midis lidhjeve të parzmores së tij; prandaj mbreti i tha shqytarit të tij: Kthehu dhe më ço larg përleshjes, sepse jam plagosur.
34 Por beteja ishte aq e ashpër atë ditë sa që mbreti u detyrua të qëndrojë mbi qerren e tij përballë Sirëve deri në mbrëmje, dhe kur perëndoi dielli ai vdiq.