Jobi. Chapter 17

1 Fryma ime u copëtua, ditët po më shuhen, varri po më pret.
2 A nuk jam i rrethuar nga njerëz që më përqeshin. Syri im ndalet mbi fyerjet e tyre.
3 Më jep, pra, një peng pranë teje, përndryshe kush do të më shtrëngonte dorën si garant?
4 Nga që i ke penguar mendjet e tyre të kuptojnë, prandaj nuk do t'i bësh të triumfojnë.
5 Kush i tradhton miqtë deri sa t'i grabisë, ka për t'i parë më pak sytë e fëmijëve të tij.
6 Por unë prej tij jam bërë gazi i popujve dhe jam katandisur në një njeri të cilin e pështyjnë në fytyrë.
7 Syri më erret për shkak të dhembjes dhe tërë gjymtyrët e mia nuk janë veçse hije.
8 Njerëzit e drejtë habiten nga kjo, dhe i pafajmi ngrihet kundër të pabesit.
9 Megjithatë i drejti mbetet i lidhur fort me rrugën e tij, dhe ai që i ka duart e pastra fortësohet gjithnjë e më tepër.
10 Sa për ju të gjithë, kthehuni, ejani, pra, sepse midis jush nuk po gjej asnjë njeri të urtë.
11 Ditët e mia shkuan dhe planet e mia u prishën, pikërisht ato dëshira që unë ushqeja në zemër.
12 Ata e ndërrojnë natën në ditë, drita është afër, thonë, për shkak të errësirës.
13 Në rast se e pres Sheolin si shtëpinë time në rast se e shtrij shtrojen time në terr,
14 në rast se i them vendvarrit: Ti je ati im, dhe krimbave: Jeni nëna ime dhe motra ime,
15 ku është, pra, shpresa ime? Kush mund të dallojë ndonjë shpresë për mua?
16 A do të zbres vallë në portat e Sheolit, kur do të gjejmë bashkë prehje në pluhur?.