Zanafilla. Chapter 29

1 Pastaj Jakobi u nis dhe shkoi në vendin e lindorëve.
2 Shikoi dhe pa një pus në një arë, dhe aty pranë tri kope dhensh të mbledhura tok, sepse ai pus shërbente për t'u dhënë ujë kopeve të dhenve; dhe rrasa mbi grykën e pusit ishte e madhe.
3 Aty mblidheshin zakonisht tërë kopetë; atëherë çobanët e hiqnin rrasën nga gryka e pusit dhe u jepnin ujë dhenve; pastaj e vinin përsëri rrasën në vendin e saj, në grykën e pusit.
4 Dhe Jakobi u tha atyre: Vëllezër të mi, nga jeni? Ata u përgjigjën: Jemi nga Harani.
5 Atëherë ai u tha atyre: E njihni ju Labanon, birin e Nahorit?. Ata u përgjigjën: E njohim.
6 Ai u tha atyre: A është mirë ai?. Ata u përgjigjën: Éshtë mirë; dhe ja bija e tij Rakela, e cila po vjen me delet.
7 Ai tha: Ja, është ende ditë për diell dhe nuk ka ardhur koha për të mbledhur bagëtinë; jepuni ujë deleve dhe pastaj i çoni të kullosin
8 Por ata u përgjigjën: Nuk mundemi deri sa të gjitha kopetë të mblidhen, e të kemi hequr rrasën nga gryka e pusit; atëherë do t'u japim ujë deleve.
9 Ai po vazhdonte të fliste me ta kur arriti Rakela me delet e të atit, sepse ajo ishte një bareshë.
10 Kur Jakobi pa Rakelën, bijën e Labanos, vëllai i nënës së tij, dhe delet e Labanos, vëlla i nënës së tij, ai u afrua, e hoqi rrasën nga gryka e pusit, dhe i dha ujë kopesë së Labanos, vëllait të nënës së tij.
11 Atëherë Jakobi puthi Rakelën, ngriti zërin dhe qau.
12 Pastaj Jakobi e njoftoi Rakelën se ishte i një gjaku me të atin dhe ishte bir i Rebekës. Dhe ajo vrapoi t'ia tregonte të atit.
13 Sapo Labano dëgjoi lajmet e Jakobit, birit të motrës së tij, vrapoi drejt tij, e përqafoi, e puthi dhe e çoi në shtëpinë e tij. Dhe Jakobi i tregoi Labanos tërë ato gjëra.
14 Atëherë Labano i tha: Ti je me të vërtetë nga mishi dhe gjaku im!. Dhe ai qëndroi një muaj me të.
15 Pastaj Labano i tha Jakobit: Pse je fisi im duhet të më shërbesh pa marrë asgjë? Më thuaj sa duhet të jetë paga jote.
16 Tani Labano kishte dy bija: e madhja quhej Lea dhe e vogla Rakela.
17 Lea kishte sy të perënduar, por Rakela ishte e hijshme dhe e pashme.
18 Prandaj Jakobi e donte Rakelën dhe i tha Labanos: Unë do të të shërbej shtatë vjet për Rakelën, bijën tënde më të vogël.
19 Labano iu përgjigj: Më mirë të ta jap ty se sa një njeriu tjetër; rri me mua.
20 Kështu Jakobi shërbeu shtatë vjet për Rakelën; dhe iu dukën pak ditë sepse e dashuronte.
21 Pastaj Jakobi i tha Labanos: Më jep gruan time, sepse afati u mbush dhe lejo që të bashkohem me të.
22 Atëherë Labano mblodhi tërë burrat e vendit dhe shtroi një banket.
23 Por, kur ra mbrëmja, ai mori bijën e tij Lea dhe e çoi te Jakobi, që hyri te ajo.
24 Përveç kësaj Labano i dha shërbyesen e tij Zilpah si shërbyese të Leas, bijës së tij.
25 Të nesërmen në mëngjes, ai pa se ishte Lea. Atëherë Jakobi i tha Labanos: Çfarë më bëre? A nuk të kam shërbyer për Rakelën? Pse më mashtrove?.
26 Labano u përgjegj: Nuk është zakon të veprohet kështu në vendin tonë, nuk mund të japësh më të voglën para më të madhes.
27 Mbaro javën e kësaj dhe do të japim edhe tjetrën, për shërbimin që do të më bësh për shtatë vjet të tjera.
28 Atëherë Jakobi bëri si i thanë dhe mbaroi javën e Leas; pastaj Labano i dha për grua bijën e tij Rakela.
29 Përveç kësaj Labano i dha shërbyesen e tij Bilhah si shërbyese Rakelës, bijës së tij.
30 Dhe Jakobi hyri gjithashtu te Rakela dhe e dashuroi atë më tepër se Lean; dhe shërbeu shtatë vjet të tjera te Labano.
31 Zoti, duke parë që për Lean nuk kishte dashuri, ia çeli barkun asaj, ndërsa Rakela ishte shterpë.
32 Kështu Lea u ngjiz dhe lindi një djalë që e quajti Ruben, sepse tha: Zoti e pa trishtimin tim; prandaj tani burri im do të më dojë.
33 Pastaj u ngjiz përsëri dhe lindi një djalë dhe ajo tha: Zoti e pa se nuk kisha dashuri, prandaj më dha edhe këtë bir. Dhe e quajti Simeon.
34 Ajo u ngjiz përsëri dhe lindi një djalë, dhe tha: Kësaj radhe burri im do të më dojë, sepse i kam lindur tre bij. Prandaj u quajt Levi.
35 Ajo u ngjiz përsëri dhe lindi djalë dhe tha: Këtë radhë do të kremtoj Zotin. Prandaj e quajti Juda. Pastaj nuk pati më fëmijë.